Arben Taravari

Biografia

Arben Taravari ka lindur më 9 prill 1973 në Gostivar. Ai është politikan, mjek, profesor universitar dhe ish-Ministër i shëndetësisë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht është kryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i komunës së Gostivarit.  

Studimet universitare i ka kryer në universitetin “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Megjithëse vitet e fakultetit i kalon në një kohë diskriminuese për shqiptarët, të cilëve rrallë u jepej e drejta për të ndjekur studimet universitare veçanërisht në mjekësi, Taravari spikat si një nga studentët më të talentuar duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera në vitin 1998. Në vitin 2006 ai specializon dhe disa muaj më vonë po në të njejtin vit edhe magjistron në neurologji duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë në këtë fushë. Në vitin 2010 ai mbron doktoraturën duke hulumtuar gjenetikën e sëmundjes së  Parkinsonit dhe deri sot është një nga specialistët më në zë për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Në vitin 2016 ai zgjidhet si udhëheqës i Departmentit për Migrenë dhe Kokëdhimbje në Klinikën Universitare të Neurologjisë dhe bëhet anëtar i bordit të revistës mjekësore ndërkombëtare “Medicus” dhe “Vox Medici”. Pasioni për mjekësinë dhe dedikimi ndaj profesionit të tij e kanë bërë Taravarin një nga mjekët e dalluar në Ballkan dhe punimet e tij shkencore dëgjohen dhe vlerësohen lart në shumë shtete të Evropës apo Amerikës.

 

Arben Taravari ndërkohë zhvillon një karierë të suksesshme edhe si profesor duke ligjëruar edhe në universitetin e Mjekësisë në Shkup dhe pas hapjes së drejtimit të njëjtë në Tetovë, fillon ligjëron edhe për këtë universitet. Dr. Arben Taravari është shqiptari i parë në Maqedoni që zgjidhet Profesor Ordinar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në këtë lëmi. Ai është autor i disa librave shkencorë dhe punimeve shkencore që shërbejnë si pika referimi për shumë studentë e mjekë të rinj.

Në vitin 2017 ai emërohet si ministër i Shëndetësisë duke përfaqësuar Aleancën për Shqiptarët (parti të cilës i përket prej themelimit të saj), në qeverinë e sapoformuar të Zoran Zaevit. Në fare pak muaj Taravari bëhet një nga ministrat më të suksesshëm në këtë qeveri duke e renditur ministrinë e Shëndetësisë, si rrallë herë, në një nga ministritë më të besuara nga populli.

Taravari kthehet në ministrin e parë të Shëndetësisë që nis implementimin e gjuhës shqipe në të gjithë sistemin orientues të shërbimit shëndetësor në vend.

 

Arben Taravari ndërkohë zgjidhet nga Aleanca për Shqiptarët si kandidat për kryetar komune në qytetin e tij të lindjes Gostivar. Nën moton ‘‘Gostivari i Pari’’ ai drejton një ekip që arrin të fitojë zgjedhjet dhe kështu në 2 nëntor të vitit 2017, ai nis të drejtojë zyrtarisht Komunën e Gostivarit. Ndërsa, në zgjedhjet lokale të vitit 2020 fitoi dhe mandatin e dytë për të udhëhequr me komunën e Gostivarit.

Në drejtimin e tij ky qytet është kthyer në një histori suksesi duke u bërë shpesh pjesë e vendeve të para në listat e arritjeve, dhe Komuna e Gostivarit është vlerësuar si komuna më e mirë shqiptare në të gjithë Maqedoninë e Veriut.

Arben Taravari është pjesë e Aleancës për Shqiptarët që në fillimin e krijimit të saj dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka ushtruar detyra të rëndësishme partiake si Sekretar Gjeneral, Nënkryetar i partisë, Ushtrues detyre kryetar i partisë dhe së fundmi kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët, detyrë të cilën e mori në dhjetor të vitit 2022.

 

Ai flet shqip, maqedonisht, turqisht, anglisht dhe serbisht.

Kontakto në:

Skip to content